Untitled

OJQ-të dhe influenca e tyre te çështjet mjedisore e zhvilluese kombëtare

Posted on 22/02/2015 · Posted in Lajme

UntitledKohët e fundit roli i OJQ-ve dhe debatet në lidhje me ndikimin e tyre në politikë kanë qenë shpesh në qendër të vëmendjes. Sfida për evidentimin e influencës së tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në problemet kombëtare të shteteve vazhdon të jetë aktual. Nisur nga kjo, do të ekzaminohet shkurtimisht roli i OJQ-ve mjedisore dhe ndikimi i tyre te vendimmarrja. Mund të vihet re lehtë se kohët e fundit, ka pasur një rritje shumë të madhe të numrit të organizatave joqeveritare (OJQ), të cilat kanë marrë pjesë në negocimet kombëtare e ndërkombëtare si dhe në konferencat rreth çështjeve ambientale të dy dekadave të fundit.

Shumica e studiuesve bien dakord se OJQ-të kanë arritur të ndikojnë në ndryshimet e politikave ambientale, si në ato brenda-shtetërore edhe në ato ndërkombëtare, por është e diskutueshme, se deri në ç’nivel përpjekja e tyre ka ndikuar realisht negocimet ndërkombëtare dhe realizimet brenda-shtetërore në lidhje me zotimet e ndërmarra. Në përgjithësi nuk gjen material të detajuar në lidhje me ndikimin real që kanë OJQ-të te përfundimet politike. Madje, ndodh edhe që ngatërrohet shpesh, influenca me mundësinë e OJQ-ve në diskutimet e vendimeve politike. Për këtë arsye, është e nevojshme një përqasje më sistematike për matjen dhe analizën e influencës së OJQ-ve. Në këtë shkrim të shkurtër, ndërmerret pikërisht një hap i tillë.

Mbahet si rast tipik dhe merret shpesh si shembull roli i OJQ-ve ambientaliste në vendosjen e zbatimin e rregullave si dhe fleksibilitetin e mekanizmave nën Konventën e OKB-së për ndryshimet klimaterike (UNFCCC 1992) dhe Protokollin e saj të Kiotos (1997). Mosmarrëveshja në lidhje me këto çështje, solli si rezultat dështimin dhe pezullimin e Konferencës së gjashtë të palëve (COP6) në Hagë, në nëntor të vitit 2000. Në konferencën (COP6) të ribërë në korrik 2001 në Bon, palët zgjidhën shumë prej çështjeve kontradiktore dhe nënshkruan një marrëveshje politike. Pak muaj më vonë, në COP7 në Marrakesh, u pranua një tekst ligjor i cili përmbante shumë rregulla kyçe të nevojshme për të vënë në veprim Protokollin e Kiotos.

Në këtë kohë u ngrit më me forcë se më parë pyetja e influencës së negocimeve të OJQ-ve për rregullat ndërkombëtare të cilat do të aplikoheshin edhe në nivel kombëtar më pas. E thënë me pak fjalë, ashtu si analizohet edhe në raportin e COP7, i njohur ndryshe edhe si Akordi i Marrakeshit, një nga çështjet më kryesore të marrëveshjeve ishte sistemi i pajtueshmërisë. Pikërisht kjo pajtueshmëri ndërkombëtare do të bëhej edhe “bumerang” nëse nuk zbatoheshin pikat e rëna dakord dhe do t’u jepte OJQ-ve fuqinë për të ngritur çështje delikate në nivel kombëtar e ndërkombëtar kur vinte puna për mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e rregullave të firmosura nga vetë palët. Po përse Kioto?

Për shkak të masave shtrënguese. Në dallim nga premtimet “e buta” të UNFCCC, Protokolli i Kiotos vendos ligjërisht objektiva konkrete dhe masa detyruese në lidhje me efektin serë dhe vendet e zhvilluara në periudhën e parë të angazhimit, 2008-2012. Një prej pjesëve më thelbësore dhe më të fundit të regjimit global klimaterik, që duhej bërë ishte rënia dakord/pajtueshmëria me Protokollin e Kiotos: një grup rregullash, procedurash dhe institucionesh të skicuara me shumë kujdes, për të lehtësuar dhe përforcuar zbatimin e detyrimeve të Protokollit të Kiotos. Besoj se për ne, sistemi i pajtueshmërisë përbën një rast studimi shumë interesant për influencën e OJQ-ve, jo thjesht sepse ai është çelësi i paraqitjes së palëve në Protokoll, por edhe sepse në Shqipëri, kjo metodë krahasimi e matje ka tërhequr vëmendje të pamjaftueshme, duke mos e vlerësuar si duhet rolin e madh që mund të kenë OJQ-të, kur ato mbështeten në strategji të sakta. Duke qenë se ky ndikim në vendimmarrjen shqiptare kryhet në një zonë të mirëpërcaktuar dhe lehtësisht të identifikueshme, ai është një objekt i realizueshëm studimi. Mund të thuhet se kjo gjë shpenzohet pak kohë edhe për vënien në pah të fleksibilitetit të rregullave të aktivitetit të OJQ-ve që kanë lidhje me zhvillimin dhe me mjedisin në Shqipëri.

Është interesante që të krahasohet influenca e OJQ-ve duke pasur si shembull çështjen e pajtueshmërisë, momentin historik të Kiotos, të cilin e përmendëm më sipër. Kjo, për shkak se aty OJQ-të kanë qenë më shumë të profilizuara në çështjet mjedisore se sa te pajtueshmëria dhe për shkak se ka pasur mosmarrëveshje të mëdha ndërmjet OJQ-ve në lidhje me mekanizmat që ndikojnë tregun. Në këtë mënyrë ndikimi i tyre te vendimmarrja vinte tërësisht nga shqetësimi i zbatimit të masave të ruajtjes së mjedisit.
Duke ardhur te problematika jonë kombëtare, në mënyrë më të veçantë, duhet të vëzhgohen më nga afër çështjet: në ç’shtrirje dhe në cilat rrugë kanë vepruar OJQ-të mjedisore për të influencuar pajtueshmërinë mes palëve për zbatimin e rregullave për ruajtjen e mjedisit dhe politikat zhvilluese në Shqipëri; cilat janë mundësitë dhe mekanizmat për të rritur rolin e OJQ-ve në zbatimin e ligjit, bërjen e ligjeve të reja dhe ndikimin te politikë-bërja? Për t’i dhënë drejtim këtyre çështjeve, vëzhgimi mendoj se duhet të shohë nga afër tre degëzime:
a) të bëhet një përshkrim ose studimi shkurtër i disa OJQ-ve të ndryshme mjedisore dhe zhvilluese si dhe strategjive të tyre, burimeve dhe objektivave afatgjata që ato kanë.
b) të ekzaminohet nëse e kanë bërë dhe përse e kanë bërë OJQ-të për zhvillim, ndikimin te politikë-bërja apo vendimmarrja.
c) të eksplorohet gjerësia e strategjive në dispozicion të OJQ-ve, për të përkrahur nismat me angazhimet për ndryshimet mjedisore dhe projektet për zhvillim rajonal e kombëtar.
Ndërsa dy çështjet e para mund të vëzhgohen nga studimi i zhvillimeve deri sot, e fundit është disi më teorike pasi nuk kemi një shembull të ngjashëm.

Një nismë e parealizuar më parë
Do të përpiqem që ta demonstroj me një shembull të shkurtër rëndësinë që mund të ketë një OJQ mjedisore apo për zhvillim te vendimmarrja e te politikë-bërja për zbatimin e sistemit të pajtueshmërisë së palëve. Së fundi, OJQ-ja SHVZHS (Shoqata Vullnetare Zhvillim Solidaritet) ka ndërmarrë një nismë e cila synon zhvillimin e një projekti të gjerë e të ndarë në etapa, ku nëpërmjet zbatimit të tij të arrihen rezultate të cilat do të prodhojnë rekomandime për përmirësimin e cilësisë së jetës në zonën naftëmbajtëse Ballsh-Patos-Marinzë. Për këtë qëllim në datën 13 shkurt 2015 zhvillohet nga kjo OJQ, konferenca e parë mbi këtë nismë: Konferencë Promovuese për Projektin: “Studim i Integruar Mbi Situatën e Sigurisë – Zona Naftëmbajtëse Ballsh-Patos-Marinzë”. Kjo konferencë e parë, do të shërbejë për të promovuar projekt-idenë para opinionit publik dhe aktorëve të interesuar ndaj këtij projekti të gjerë që do të kryhet. Prezantimi i koncepteve bazë të projektit të SHVZHS do të bëhet sipas diskutimeve prezantuese mbi shtyllat kryesore ku bazohet vetë projekti. Referatet bazë të kësaj konferencë do të synojnë të shfaqin: Impaktin Mjedisor; impaktin shëndetësor; impaktin social – ekonomik dhe impaktin te siguria kombëtare duke marrë në konsideratë burimet natyrore, shfrytëzimin e tyre dhe mirëqenien e komunitetit dhe sigurinë njerëzore të kësaj zone naftëmbajtëse.
Kjo fazë prezantuese e kësaj projekt-ideje, synon të kalojë në një hap të dytë, duke zhvilluar në mënyrë të detajuar një projekt mbi këtë zonë naftëmbajtëse. Projekti mund të shihet i kompozuar në tre korniza e problematikës së zonës: Studimi ose analiza; rekomandimet ndaj aktorëve të interesuar dhe ndërgjegjësimi (opinionit, vendimmarrjes etj) nëpërmjet botime, aktivitete, takime, tryeza dhe mënyrave të tjera informuese. Kjo iniciativë mbledh bashkë profesorë të njohur nga fushat që kanë lidhje me mjedisin, shëndetësinë, sigurinë, të drejtën ligjore, ekonominë etj. Këta do të jenë pjesë e projektit tashmë të skicuar, për të analizuar dhe nxjerrë rekomandime në lidhje me problematikën e zonës. Ky studim i kësaj natyre, pra me një shkallë të gjerë pjesëmarrje akademike, është i pari që bëhet për situatën e rënduar të kësaj zonë. Nëse konferenca e parë prezantuese tërheq vëmendjen e donatorëve të mundshëm, ky projekt do të kalojë në etapën e zbatimit duke u shtrirë përafërsisht në harkun kohor të një viti e më shumë. Metodologjia e analizës shkencore që do të zbatohet në të synon të sjellë si benefit rekomandime që do të ndikojnë politikat dhe qëndrimet mbi situatën e kësaj zone naftëmbajtëse. Nuk është parë më herët që të ketë një nismë gjithëpërfshirëse, në gërshetime fushash. Nisma bën bashkë emra të njohur të botës akademike e jo vetëm dhe synon të ketë pikërisht atë impakt te vendimmarrja për të cilin folëm më sipër. Mbase do duke e tepruar, por nëse u përmend Kioto si moment ku ra në sy shumë qartë impakti i OJQ-ve të vendimmarrja dhe të pajtueshmëria, si pikë kthese e këtyre aktorëve – mendoj, se nëse realizohet me sukses kjo nismë kaq e gjerë e ka unike për një zonë shumë të dëmtuar, do të mund të thuhet me siguri, se kjo iniciativë është pika e kthesës në pozicionimin e OJQ-ve për ndryshimin e rregullave dhe zbatimin e tyre në favor të shoqërisë shqiptare.

Aleksander ALIAJ

Publikuar në gazetën Koha Jonë   me datë 22  shkurt 2015