clip_image002

Fjala e hapjes nga Kryetari i SHVZHS z.Aleksandër ALIAJ

Posted on 13/02/2015 · Posted in Lajme

Fjala e Hapjes nga Aleksandër ALIAJ

Përshëndetje te gjithëve !
Të nderuar Deputete !
Të nderuar Perfaqesues te pushtetit ekzekutiv!
Të nderuar Akademikë !
Te nderuar përfaqësues të Pushtetit Vendor dhe Ju të pranishëm në këtë sallë !

Ndjehem i nderuar që më jepet rasti, të mbaj fjalën e hapjes në këtë mjedis studiuesish që janë angazhuar për të dhënë kontribut të çmueshëm në këtë projekt të Shoqatës Vullnetare për Zhvillim dhe Solidaritet ( SHVZHS ).

Jemi mbledhur këtu me qëllim shkëmbimin e opinioneve dhe ideve mbi zhvillimet ndër vite të industrisë së nxjerrjes dhe përpunimit të naftës ne zonën e studimit Ballsh – Patos – Marinzë.
Le të shërbejë kjo Konferencë, si një platformë për shkëmbimin e informacioneve dhe ideve, si dhe të parashtrojë për diskutim dhe në vijim të hapë rrugën për një studim të integruar për disa prej çështjeve që lidhen jo vetëm me zonën e studimit, por edhe më gjerë.

Me kënaqësi konstatojmë shtimin e interesit për aktivitetet e ndërmarra nga ana e shoqatës në mbështetje të projektit si një nga nismat e para kaq të gjera e gjithëpërfshirëse për studimin e integruar mbi gjendjen e sigurisë kombëtare që sjell problematika në zonën e studimit.

Për këtë arsye kemi sensibilizuar në fazën fillestare dhe jemi munduar të angazhojmë të gjithë aktorët e interesuar që të ndërgjegjësohen për nevojën e bashkëpunimit, në funksion të një studimi të integruar dhe një analize të thelluar të gjendjes së sigurisë, studim i cili në përfundimet e veta do të jetë në gjendje të përcaktojë në radhë të parë gjendjen e sigurisë, elementët që ndikojnë tek ajo si dhe do të ngacmojë aktorë si popullata, shoqëria civile, organet ligjvënëse , organet qeveritare , organizmat kombëtare apo ndërkombëtare të cilat mund dhe duhet të kontribuojnë konform mundësive dhe kompetencave të veta në funksion të përmirësimit të gjendjes së jetesës në zonën studimore për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm që në mënyrë të padiskutueshme ndikon në sigurinë kombëtare.
Studimi në fjalë do të përfshijë dhe analizojë gjendjen e të drejtave themelore të shtetasve që banojnë në këtë zonë duke përfshirë këtu të drejtën për një jetesë normale si në drejtimin shëndetësor e ambiental ashtu edhe në drejtim të së drejtës së pronësisë apo përfitimeve përkatëse nga pasuria rajonale e kombëtare mbi të cilën ata ezaurojnë jetën e përditshme dhe ku shtrihen interesat pasurore të tyre .

Organizata mbështetet në një mendësi të fokusuar në nxitjen e projekteve zhvillimore për të gjithë target-grupet dhe zonat e ndjeshme, në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm, të burimeve natyrore dhe në mbrojtjen e mjedisit.

Fjala shërbim është në fakt thelbi i misionit tonë, një mision i përbërë nga sensi i devotshmërisë dhe përkushtimit.

Partneriteti i shoqatës me grupet e interesit, do të sigurojë angazhimin pro-aktiv të tyre në çdo fushatë ndërgjegjësimi dhe do të mundësojë kuptimin më të mirë të informacionit të mbledhur nga monitorimi, gjithashtu do të ndihmojë në përdorimin cilësor të informacionit në mbështetje të shqetësimeve aktuale të zonës së studimit.

Në vijim të realizimit të punës për fazën e parë të nismës, shoqata së bashku me partnerët dhe palët e përfshira, do të organizojë forma të ndryshme diskutimi publik duke u përqendruar në çështjet shqetësuese dhe diskutimin e alternativave.

Bazuar në rezultatet e fazave të monitorimit, diskutimit, fushatat mediatike dhe deri tek ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi i komunitetit që banon në këto zona.

Shoqata do të ndërmarrë dhe paraqesë një studim të integruar i cili mendohet të ketë rekomandimet konkrete të cilat mund të kenë natyrën e një dokumenti strategjik për zhvillimin e zonës.

Për të realizuar këtë studim gjithëpërfshirës, SHVZHS ka angazhuar dhe do të angazhojë ekspertë dhe profesionistë me tituj dhe grada shkencore në fushat përkatëse që prek studimi. Aktualisht, shoqata e ka prezantuar idenë dhe ka gjetur mirëkuptimin e të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë studim.

Në këtë kuadër kemi konstatuar interesimin dhe dëshirën për bashkëpunim të gjithë palëve të prekura, duke përfshirë organet e qeverisjes qendrore dhe vendore, institucionet akademike të R.SH., por edhe grupet e interesit. SHVZHS ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi dhe partneriteti me njësitë vendore të zonës së studimit dhe disa Universitete publike dhe jopublike në Republikën e Shqipërisë.

Duke ju falënderuar edhe një herë për pjesëmarrjen ju ftoj të ndiqni materialet në vijim .

Faleminderit

Kryetari
Aleksander ALIAJ